e enjte, dhjetor 15, 2005

Shoqeria e hapur vs. shoqeria civile

SHOQERIA E HAPUR vs. SHOQERIA CIVILE.

Mag. BEKIM BALIQI
Jane dy mendimtar te medhenj qe me idete dhe veprat e tyre ndikuan dukshem ne mendimin moderne politik. Qe te dy kishin emrin e njejte- Karl, ishin gjermanofoles, emigruan dhe vdiqën ne Londër. Por dallimet ndermjet Marksit qe jetoj ne shekullin ne XIX dhe bota ideologjike e se cilit pas 1990-s u rrenua teresishte dhe ndermjet Popperit, qe veproj nje shekull me pas si perkrahes i liberalizmit politik dhe kundershtar i flaket i marksizem-komunizmit, janë bindshem me evidente se ngjajshmeri e rastësishme.
Per publikun kosovar shume me pak i njohur se Marksi, eshte Karl Raimund Popper, i cili si i ri vete ishte Marksist dhe anetare i se ashtuquajturit « Qarkut Vjenez » nje grupi shkencetaresh e intelektualesh me idete demagogjike te te cileve shpejte bie ne mospajtim. Per kete shkake i mbete nofka « opozite e brendshme ». Si teoricient i shkences shkruan vepren e tij te pare Logjika e Hulumtimit (Logik der Forschung) me 1935.
Si kunderpergjigje e shkrimit te Marksit Mjerimi i Filozofise ( Das Elend der Philosophie) nga e cila del ajo thenia e famshme se “filozofet deri tani vetem filozofuan mbi boten por nuk e ndryshuan ate” shkraun Popperi vepren Mjerimi i Historicizmit (Das Elend der Historizismus) ku mbron Tezen se asnje filozof ose intelektual s´mundet te profetizoj mbi nje bote ideale qe del shpeshe utopike por me shkembim idesh dhe diskutime mund te kontribuoj ne permiresimin e kushteve shoqerore. Poashtu ai kundershton Wittgensteinin, maksima e te cilit edhe tek disa intelektual kosovar ka ndikim te madhe se “per gjera te cilat njeriu (apo filosofi ne kete rast) nuk mund te flase duhet te heshte”.
Perkundrazi vetem me thyerjen e tabuve, me verifikimin apo falsifikim ( Teze-Antiteze) mund te arrijme te ndonje dijeni, ishte i bindur Popperi. Ne vend te “dialektizmit” Hegelian ai ofroi ne menyre mjafte sqaruese “Kritiken racionaliste” simbas se ciles vetem permes nje vleresimi racional dhe me argumentim mund arrijme deri tek gjendja optimale.
Persiatjet e tij politike ishin produkt i kohes ne te cilen ai jetoj, si deshmitare i gjalle i dy lufterave boterore dhe i “Luftes se Ftohte” shkruan vepren kapitale te dy vellimshme Shoqeria e hapur dhe armiqte e saj (The Open Society and Its Enemies) rendesia e se ciles ne filozofine politike eshte e pakontestueshme. Ai mendonte me nje bindje te thelle se qe nga Platoni si filozof i pare politik i njohur, behet gabimi qenesor qe qon jo ralle edhe te ndermarjet fatale ne politike. Keshtu per shembull brenga “Kush duhet qeverisur?” ne fakt eshte teresishte e gabuar, sepse neve duhet ta na intereson shume me teper ceshtja “Si te shmanget nje qeverisje e keqe?”.
Asnje parti, grupim apo levizje politike sado qe te jete e legjitimuar apo e besuar tek perkrahesit nuk mund te jete ne gjendje, qe jeten e qytetareve ne ate mase te e permiresojne sic munden vete individet si subjekte vepruese me vetedije te larte dhe pergjegjesi kolektive kete te arrijne. Poashtu cdo ideologi politike qe pretendon njerezit apo shoqerine permes programeve (apo “STANDARTEVE”) te caktuara te i beje te lumtur eshte i gjykuar te deshtoj,pohonte Popperi. Ngase funksionimi i sistemit shoqerore eshte teper kompleks e i nderlikuar andaj eshte e pamundur nga rrafshi vertikal te planifikohet zhvillimi i saj. Per shkake te dyshimit qe kishte ne “Shtetin” (p.sh; ne shtetin ideal te Platonit) si instrument autoritar e me kete shpeshe edhe totalitar Popperi i jep perparesi nje shoqerie te hapur (pluraliste dhe demokratike) ku individi ka liri dhe mundesi zgjedheje.
Eshte fakt i njohur qe Populli nuk mund vete te qeverise por mund te i kete institucionet qe permes Mediave, Opozites dhe formave te tjera shoqerore te Kritikes (si Protesta, Greva apo plebishitit) i kontrollon, ndikon ne to dhe ne rast nevoje i ndrone ato. Kete e quante ai “Inxhiniering shoqerore” (piecmal social engineering) kurse sot ne e njohim si principe te patjetersusehme demokratike.
Mirepo zhivvilmet globale ne shume fusha jetesore qe ndodhen sidomos ne keto dy decenie te fundit, te njohur me perkufizimin gjeneral si Globalizim e bene mekanizmin e kontrollimit dhe ndikimit te pushtetit politik, te shumeanshem dhe me kete tejet kompleks. Keto ndryshime dinamike ndikuan ne formimin e OJQ-ve qe shpeshe si pergjithesim definohet si shoqeri civile. Shoqeria civile si koncept ishte e njohur qysh ne Mesjeten e vonshme, mirepo kishte nje kuptim te ndryshem me ate moderne. Ishin disidentet Çekosllovak e Polak ata qe e kthyen kete term perseri per te arritur nje qellim politik. Historiani i njohur anglez Thimoty Garton Ash kishte bere nje hulumtim ne ish-vendet kommuniste ne fillim te viteve 1980-ta dhe te botuar ne lilbrin “The uses of adversity” ( Perdorimi i se kundertes). Ai pohon aty se shoqeria civile ne keto vende atebote ishte qellim i atyre intelektualeve qe synonin te e ndanin jeten publike prej asaj private, gjuhen zyrtare prej asaj jozyrtare dhe shkurt te i japin fund asaj jete te dyfishte. Tash pas me shume se nje cerek shekulli, shtrohet pyetja cfare qellimi mund te kete nje shoqeri civile? Ne mos lirine e shprehjes se mendimt dhe fjales se lire? Apo thjeshte shoqeria civile eshte cdo organizim shoqeror pertej partive politike?
Keshtu vihen perballe njre tjetres dy koncepte qe jane aq shume te ngjajshme dhe njekohesishte aq te ndryshme. Te ngjajshme sepse jane kunder te njejave gjera dhe te ndryshme sepse ndjekin rruge te kunderta per te e arritur qellimin.
Prandaj doemosdo kthehemi te pyetja cilen rruge duhet te e ndjek shoqeria jone ne kete faze tranzicioni, ate te OJQ-ve qe ndjekin donacione apo te nje shoqerie sic e deshironte Popperi?
Pergjigjen ne kete dileme do te mund te jape vetem koha, por angazhimi yne nuk duhet te jete vetem i bazuar ne shprese se koha punon ne kete drejtim. Ngase koha nuk do te thote detyrimisht edhe ardhmeri!