Demokracia e Rrejshme
Nga: Bekim BALIQI
Kushdo që merret përnjëmend me studime politike, mund të vërtetoj se sa vështirë është të përkufizohet demokracia. Aq më tepër, sa vështirë është të jetësohet ajo. Përveç tjerash, edhe për arsyen se ajo perceptohet nga vendi në vend ndryshe dhe praktikohet nga politikanët në forma të ndryshme. Veçanërisht vendet në tranzicion, e kane shumë vështirë të konsolidojnë demokracinë, e sidomos atëherë kur klasa politike nuk është aq e përgjegjshme dhe e zellshme. Për të mos teoretizuar dhe elaboruar më gjerësisht në këtë teme aq komplekse, na duhet veç një vështrim i shkurtë analitik i kampanjës parazgjedhore. Kjo fushatë ilustron më së miri nivelin e demokracisë sonë kosovare.
Le te kuptohemi, fushata parazgjedhore kudo ne bote është një lloj cirkusi politik me shumë inskenime, vetëlavdërime dhe show-a partiake. Por në krahasim prej tyre, kjo në Kosovë ka “ëmbëlsira” parazgjedhore që janë vetëm te imagjinuara dhe me premtime të hiperbolizuara. Kandidatët premtojnë thuaja njëzëri, çudira ekonomike, ulje radikale të papunësisë, rrugë nga më të modernet, arsim shumë të avancuar etj. Por askush prej tyre nuk sqaron konkretisht dhe në mënyre të besueshme se si vallë do ti arrinin të gjitha këto. Si do ta financonin infrastrukturën rrugore në vlerë miliardësh, aq me tepër si do ta luftonin korrupsionin ata që ndërtuan vila marramendëse brenda një mandati të vetëm! Këto dhe shume dilema të tjera neveritëse, kane rezultuar nga një mendësi hipokrizie dhe nga një demokraci e rrejshme në protektoratin e quajtur Kosovë. Se me çfarë ofertash kane hyrë partitë politike në këto zgjedhje flasin vet sloganet e tyre më së miri. Pjesa më e madhe e parullave dhe thirrjeve të tyre janë jo vetëm futuristike, por edhe shumë ironike për vendin më të varfër në Evropë, siç është Kosova. Bile disa parti, e shohin veten në një lloj misionimi kuazi-hyjnor, kur na dëftojnë se cila është rruga e drejtë dhe se sa afër parajsës do jemi me ta. Me ata qe po e sjellin dalëngadalë ketë vend para një lufte qytetare, do te jemi në fakt me afër ferrit. Të tjerët, mundohen që t´ia kthejnë krenarin një shoqërie e cila edhe këtë vit mbetet pa pavarësinë aq shume të premtuar, një shoqërie të lodhur nga një politik shterpe, një shoqërie të gërditur nga atdheu i vet sherri i një politike të keqe. Partitë tjera gjithashtu demonstrojnë kreativitetin e tyre artistik duke thurur vargje me dëshira të panumërta dhe ëndrra të ëmbla për qytetarët. Gjëra që nga perspektiva e tashme (pa rrymë, ujë dhe ndoshta edhe pa bukë) mbetet një sarkazëm i llojit të vet.
Derisa ajo pjesë e së ashtuquajturës “shoqëri civile”, u shit për ndonjë pozitë të premtuar, për inate të ngushta politike apo thjeshte për lakmi të pushtetit. Pjesa tjetër po ballafaqohet ende me dilemën e bojkotit apo pjesëmarrjes në këto zgjedhje dhe po demonstron pafuqinë reale të saj për të përmirësuar politikën në vend dhe për demokratizimin e shoqërisë. Sepse varësia e tyre nga donatorët, frika nga “pozicionimi” i gabueshëm dhe dominimi i medieve nga partitë politike, e ngulfaten gati çdo iniciative të mirëfillte deri në margjina qesharake. Sidoqoftë, çka na duhet vërtete neve sot, nuk janë parajsat e premtuara, as dyfishime buxheti ne letër, por ofertë të realizueshme dhe me plan konkret siç bëhet gjithkund në botën normale. Të debatohet e diskutohet me argumente për ngritje-ulje tatimore, për reforma administrative, për sistemin gjyqësorë, për politiken sociale etj. Dhe vetëm atëherë mund te flitet për një fillim te demokracisë dhe për zhvillim të mirëfilltë të politikbërjes. Sepse, nëse demokracia nënkupton sundimin e popullit, deri sot këta politikan kane ikur prej tij si prej dreqit. E neve na mbetet vetëm të shpresojmë se afërsia dhe hapja e partive nuk do të ndodh veç gjatë fushatave parazgjedhore. Dhe se vota jonë do të e ndryshoj vërtete këtë trend negativ të deritashëm në politik.
0 Comments:
Posto një koment
<< Home