e hënë, nëntor 05, 2007

IN MEDIA RES!

In Meda Res! - ose cka mund te bejme me Politike sot?
BEKIM BALIQI
Atë rëndësi që e kishin dikur juristët në politikë dhe në udhëheqjen e shtetit, sidomos gjatë dy shekujve të fundit në Evropën perëndimore-, siç na e dëshmon këtë edhe sociologu Max Weber-i në ligjëratën e tij te famshme >Politika si profesion<, sot mund të themi lirishte se këtë rol e kanë përvetësuar gazetarët, ani pse në një dimension dhe nga një pozicion tjetër i veprimit. Dhe asgjë të keqe në këtë transformim profesionesh nuk do të kishte, sikur gazetarët të e kryenin detyrën e tyre si duhet. Mirëpo çka është në te vërtetë puna e gazetarit? Ajo është në fakt për një shoqëri aq e rëndësishme dhe e gjerë saqë në një shkrim të këtillë s´do te mund te përkufizohej dot. Ndoshta më mirë do të ishte sikur të përgjigjemi në atë se çka s´duhet të jetë gazetari. Në rend të parë gazetari s´duhet assesi të jetë lajmërues, kasnec apo me një theks banal të themi vetëm “spiker”. Por në kuptimin e gjerë të fjalës informues i opinionit, i cili gjatë pasqyrimit të realitetit të jetë në gjendje përmbajtjen e saj edhe ta verifikoj, gjë që në gazetarin e sotme kosovare shumë rrallë ndodhë. Gjithashtu gazetarët gjate intervistave nuk duhet në asnjë mënyre te jenë vetëm në pozitën e bartësve të mikrofonit apo kamerës, por që të intervistuarin në mënyre permanente e përballin me fakte objektive dhe reale. Edhe nga kjo simptomë vuan gazetaria jonë.
Një pjesë e madhe e gazetarëve kosovarë, në vend të opinionit krijojnë “myshteri” të tyre, në vend të lexuesit kane “shfletues”, në vend se të jenë kritikë dhe hulumtues ata janë më shume oportunistë dhe konformistë, në vend se të jenë garant të fjalës së lirë ata bëhen servil të mendimit njëdimensional. Dhe për fatkeqësi më të madhe ata vihen (thuaja vullnetarisht) në shërbim të politikës ditore, të ndonjë partie apo te grupi të caktuar interesash. Për një vend në transicion demokratik, siç është Kosova, kjo gjë është e mjerë dhe njëkohësisht tragjike.
Formula e njohur e shkencëtarit amerikan Harold D. Lasswell nga viti 1948; “Kush thotë çka, në cilin kanal (medium), kujt dhe me çfarë efekti”, e cila përkundër kritikës për mungesë të një feedback-u nga recipientët, përbën akoma bazën e analizës komunikatave, sot tek ne kjo është reduktuar në vetëm “Kush dhe çka tha”. Për të e argumentuar këtë pohim, ia vlen që të i analizoni gazetat e shumta ditore e të i ndjekeni lajmet e medieve elektronike dhe do te bindeni se kemi të bëjmë me tituj gati identik që kanë burimin e njëjte informate dhe që fokusohen vetëm në deklarata personash. Kështu mediumet e ndryshme ( të vetëquajturat; të pavarura) e humbin rolin dhe funksionin e tyre përcaktues duke u bërë në këtë mënyrë zëdhënëse të qarqeve të caktuara interesash, qofshin politike, ekonomike apo klanore. Gazetari nuk e kryen punen vetem nese arrin tek informata, por me rendesi eshte qe edhe transmetimin dhe interpretimin e permbajtjes te e kryeje si duhet, te i jep pra nje kuptim. Mirëpo në anën tjetër, edhe aktoret politik kalojnë shumë më shumë kohë nëpër Konferenca për shtyp dhe i kushtojnë rëndësi më të madhe deklaratave për media sesa të punojnë në përmbushjen e obligimeve të duhura-, për shembull në shqyrtime ligjesh, tatimesh, në programe apo koncepte politike. Ky fenomen i simbiozës reciproke ndërmjet Politikes dhe Medieve është definuar nga politologu gjerman Thomas Meyer si “Mediokraci”, mirëpo në hipotezat e tij bëhet shumë më pak fjalë për një “blerje” ose instrumentalizim të gazetarëve nga politikanet, sesa për shtimin e prezencës se politikaneve ne media dhe varësisë mediale të politikës. Megjithëse kjo nuk do të thotë se gazetaria e humb rolin e saj objektiv dhe kritik që e ka ne shoqëri. Duke e imituar këtë tendencë globale të profesionalizmit medial të politikës, qoftë përmes PR- stafit, zyrave për informim apo veshjes dhe paraqitjes sa me “artistike” para kamerave, politikanët kosovare jo vetëm që dalin në këtë mënyre si gjynahqar por bëjnë kot edhe harxhime të dyfishte. Sepse janë gazetaret e medieve të “pavarura” që do kryenin këto pune dhe te propagandonin për të lartpërmendurit edhe falas. Duhet thënë se jo vetëm në regjime totalitare dhe autoritare, por edhe në ketë demokracinë tonë të brishtë gazetari ka filluar gjithnjë e më tepër të bëhet një lloj postieri i politikes dhe politikaneve. Nëse vazhdohet me këto tendenca, të rrezikshme për demokraci, koha kur do të na imponohen mendimet politike nga një politikë dhe gazetari e tillë nuk do te jete edhe aq e largët. Nuk do të ishte gjithashtu larg mendsh se do të mund të mbanim ditar të fshehtë sikur personazhi fiktiv Winston Smith në satirën e njohur “1984” te Georg Orwellit.