e premte, nëntor 09, 2007

Rënia e maskave politike

Nga:
Bekim Baliqi

Tashmë dihet botërisht se zgjedhjet e para në Kosovën e pasluftës janë shtyrë nga komuniteti ndërkombëtar, për aq kohë sa ishin ata të sigurt se partitë politike ose thënë më mirë partia e moderuar- e për këtë merrej LDK- ja, mund të fitonte shumicën e votave në zgjedhjet e lira. Dhe LDK-ja jo vetëm që doli e para por i bëri zgjedhjet e ardhshme si një lloj rutine periodike, ku vërtetohej mandati i tyre ose zgjedheshin me pak mund përsëri. LDK-ja e tashme nuk është më lëvizje e disidenteve, me frymë intelektuale dhe me maturi të respektueshme politike. Sot ajoështë më tepër një parti populliste ( po jo popullore!) pa ndonje platformë programore apo pikënisje ideologjike. Krejt çka i bashkon anëtaret e saj është dëshira e tyre e flakët për pushtet.
Në këto zgjedhje LDK-ja hyn jo vetëm pa Ikonën e vet dhe garantuesin e fitores së saj, por edhe me shumë më pak vetëbesim dhe orientim të duhur.. Gjëra të cilat shihen qartazi nëpër këto fushata parazgjedhore, ku në mungese të ndonjë oferte reale, premtimi te besueshëm ose thjeshtë të ndonjë arsye të arsyeshëm për ri-votimin e tyre, ata akuzojnë me paragjykime më të ulëta rivalet e tjerë politik. Kjo në një demokraci të vërtete nuk do të duhej të ndodhte assesi. Por, frika nga e ardhmja dhe pasiguria qon domosdo në neurozë, madje në kontekstin kosovar deri edhe në agresivitet. Kjo duhet të jetë shkaku kyç pse anëtaret e tashëm dhe ata të dikurshëm të LDK-së i kanë humbur nervat dhe përdorin një diskurs të ashpër. Arsyeja tjetër e kësaj pakorrektësia politike qëndron gjithashtu në faktin se humbja e pushtetit do të mund të qonte LDK-në në opozitë, që për një pjesë të qeverisë së sotme do të ishte politikisht fatale, sepse në mungesë të ndonjë profesionit, atyre do t´iu rrezikohej edhe mundësia e punësimit. Sigurisht, gjate këtyre viteve në pushtet një pjese e tyre e ka “siguruar” të ardhmen edhe për një kohe të pacaktuar, kështu që ndonjë motel apo restorant luksoz do te mund te zbukuronte Prishtinën në një të ardhme jo fort të largët. Kurse ata që ishin dikur në LDK-e dhe sot veprojnë në partitë e tjera, bëhen të zhurmshëm dhe padurueshëm pasi këto zgjedhje paraqesin shansin e fundit për një Comeback të tyre, andaj ata me çdo kusht donë të jenë pjese e lojës politike. Si një satisfaksion i egos së tyre dhe nga inati politik ndaj ish-kolegeve.
Sidoqoftë, frustrimi parazgjedhor në këtë Parti e ka bazën edhe në kalkulimet e ndryshme elektorale, pasi qe po hetohet atmosfera jo fort e kënaqshme për ta. Llogaritjet se një parti tjetër do të mund të ishte e para dhe se ajo eventualisht do të mund të bënte koalicion me ndonjë parti tjetër i lëne shumë anëtarë të LDK-së pa gjumë, e ndoshta shpejt edhe pa karrierë politike. Të gjitha partitë e mëdha në vendet Paskomuniste, kane pas nga një humbje që rrjedh në mungesë të dezorientimit total dhe mos-reflektimit të tyre. A do të ndodhë kjo me LDK-në, nuk mund te thuhet saktësisht akoma. Por dihet fare mire që kjo parti, dikur e pathyeshme, ka nevojë shumë të madhe të ndërmerr patjetër reforma rrënjësore dhe të hapet për forca të reja, sepse me këtë konservim ajo është ndryshkë krejtësisht. Prandaj, ndoshta dalja në opozitë do te iu bënte pak mirë atyre zotërinjve të nervozuar në LDK-ë që të marrin kohë për një fazë meditim. Atyre iu duhet vërtet një periudhë që të mendojnë për lëshimet, të metat dhe gabimet e bëra, si dhe te mbledhin energji për një ri-konsolidim të radhëve, ideve dhe vizioneve të reja. Tash radhën e kanë partitë tjera, të cilat nuk guxojnë të përsërisin gabimet e partive ne pushtetin e sotshme. Sepse, pushteti nuk është i përjetshëm e edhe vota e merituar mund të jetë e dhimbshme.